Akti Themelues i TPA

Struktura organizative dhe mandati i Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit janë të pëcaktuara përmes aktit themelues të TPA. Organet e tij janë Kryesia, Kryetari, dhe Sekretari. Nëse para TPA është duke u zhvilluar procedura e arbitrazhit, atëherë edhe tribunali i arbitrazhit konsiderohet organ i TPA.

Shkarko pdf verzionin e Akti Themelues i TPA në OEK në Anglisht
Shkarko pdf verzionin e Akti Themelues i TPA në OEK në Shqip

Akti themelues i Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit në Odën Ekonomike të Kosovës



Neni 1

  1. Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit (në tekstin e mëtejmë: Tribunali i Përhershëm) funksionon në Odën Ekonomike të Kosovës.
  2. Tribunali i Përhershëm është i pavarur në punën e tij.
  3. Selia e Tribunalit të Përhershëm është në Prishtinë.
  4. Tribunali i Përhershëm ka vulën me mbishkrimin:
    1. “Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit në Odën Ekonomike të Kosovës” dhe logoja e Odës Ekonomike të Kosovës dhe e Tribunalit të Përhershëm.

Neni 2

  1. Organet e Tribunalit të Përhershëm janë Kryesia, Kryetari dhe Sekretari i Tribunalit të Përhershëm
  2. Organe të Tribunalit të Përhershëm janë edhe tribunalet e arbitrazhit kur veprojnë në procedurë para Tribunalit të Përhershëm.

Neni 3

  1. Kryesia e Tribunalit të Përhershëm përbëhet prej pesë anëtarëve: Kryetari, Nënkryetari, Sekretari i përgjithshëm i Odës Ekonomike të Kosovës dhe dy anëtarë pa ndonjë funksion të veçantë. Ata emërohen për periudhë katërvjeçare nga Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës.
  2. Secili person mund të emërohet si Kryetar apo Nënkryetar i Tribunalit të Përhershëm vetëm dy herë radhazi.
  3. Personi që është emëruar Kryetar apo Nënkryetar i Tribunalit të Përhershëm dy herë radhazi mund të emërohet anëtar i Kryesisë së Tribunalit të Përhershëm.

Neni 4

  1. Tribunali i Përhershëm ka listën e arbitrave.
  2. Lista e arbitrave përcaktohet për periudhë katërvjeçare nga Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës me propozim nga Kryetari i Tribunalit të Përhershëm.

Neni 5

  1. Kryesia e Tribunalit të Përhershëm bën mbikëqyrjen e përgjithshme të punës së Tribunalit të Përhershëm; është përgjegjëse për aplikimin e drejtë të Rregullave të Kosovës për arbitrazh dhe rregullat tjera të përgjithshme të Tribunalit të Përhershëm; vendosë për shfrytëzimin dhe ndarjen e mjeteve financiare të Tribunalit të Përhershëm, shqyrton dhe miraton raportin vjetor të Tribunalit të Përhershëm dhe planifikon punën e Tribunalit të Përhershëm për vitin e ardhshëm, dhe kryen detyrat tjera të përcaktuara nga këto rregulla dhe nga rregullat tjera të Tribunalit të Përhershëm.
  2. Kur Kryesia e Tribunalit të Përhershëm, në bazë të këtyre Rregullave, vendosë në mënyrë të pavarur për çështjet e caktuara, Kryetari apo Nënkryetari dhe dy anëtarë të Kryesisë duhet të jenë prezent në seancën e Kryesisë me qëllim që vendimi të jetë i vlefshëm.

Neni 6

  1. Kryetari i Tribunalit të Përhershëm përfaqëson Tribunalin e Përhershëm dhe vepron si agjent i Tribunalit të Përhershëm.
  2. Kryetari i Tribunalit të Përhershëm emëron arbitrat dhe kryesuesit e tribunaleve të arbitrazhit siç parashkruhet në Rregullat e Kosovës për arbitrazhin, është përgjegjës për mbajtjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit me organizatat tjera aktiviteti i së cilave është me interes për punën e Tribunalit të Përhershëm dhe kryen detyra tjera që parashihen nga rregullat e Tribunalit të Përhershëm dhe vendimet e Kryesisë.
  3. Kryetari i Tribunalit të Përhershëm i dorëzon Odës Ekonomike të Kosovës raportet vjetore për punën e Tribunalit të Përhershëm dhe raportet vjetore financiare të Tribunalit të Përhershëm.
  4. Marrëveshjet për bashkëpunim me institucionet tjera të arbitrazhit nënshkruhen nga Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës apo Kryetari i Tribunalit të Përhershëm, varësisht nga reciprociteti.

Neni 7

  1. Kryesia e Tribunalit të Përhershëm, me propozim nga Kryetari i Tribunalit të Përhershëm, mund të delegojë përgjegjësinë për detyra të caktuara që janë kompetencë e Kryetarit të Tribunalit të Përhershëm të Nënkryetari apo te ndonjë anëtar tjetër i Kryesisë.
  2. Kryesia e Tribunalit të Përhershëm vendosë që Nënkryetari të zëvendësojë Kryetarin e Tribunalit të Përhershëm në vitin e ardhshëm kalendarik.

Neni 8

  1. Nënkryetari i Tribunalit të Përhershëm zëvendëson Kryetarin kur ai/ajo pengohet në kryerjen e detyrave të tij/saj.

Neni 9

  1. Sekretari i Tribunalit të Përhershëm emërohet nga Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës. Sekretari është jurist i diplomuar dhe flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Sekretari kryen detyrat e tij/saj në bazë të kontratës së përhershme të punësimit.
  2. Nëse Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës nuk emëron Sekretarin e Tribunalit të Përhershëm në pajtim me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni, Sekretari emërohet për periudhë katërvjeçare nga Këshilli Drejtues i Odës Ekonomike të Kosovës.
  3. Sekretari i Tribunalit të Përhershëm nga paragrafi 2 i këtij neni mund të emërohet dy herë radhazi.

Neni 10

  1. Sekretari i Tribunalit të Përhershëm përgatitë punën e Kryesisë, kurse Kryetari i Tribunalit të Përhershëm zbaton vendimet e Kryesisë.
  2. Sekretari i Tribunalit të Përhershëm ndërmerr veprime administrative për konstituimin e tribunalit të arbitrazhit dhe përgatitë analizën e çështjeve specifike:
    1. ai/ajo është përgjegjës për zbatimin e drejtë të konkluzioneve dhe vendimeve tjera nga tribunalet e arbitrazhit,
    2. menaxhon punën e Sekretarisë,
    3. përgatitë raportin vjetor të punës dhe raportin vjetor financiar dhe planin e punës së Tribunalit të Përhershëm për vitin e ardhshëm dhe kryen detyrat tjera të përcaktuara nga Rregullat e Tribunalit të Përhershëm.
  3. Nëse Sekretari pengohet në kryerjen e detyrave të tij/saj, Kryetari i Tribunalit të Përhershëm emëron një zëvendësues të përkohshëm.
  4. Kryetari i Tribunalit të Përhershëm është i autorizuar që të ndërmerr të gjitha veprimet në kuadër të kompetencave të Sekretarit të Tribunalit të Përhershëm.
  5. Puna e Sekretarisë së Tribunalit të Përhershëm kryhet nga një numër i caktuar i punonjësve të Odës Ekonomike të Kosovës.
  6. Sekretaria e Tribunalit të Përhershëm kryen punën administrative të Tribunalit të Përhershëm, mban bibliotekën dhe regjistrat, mban arkivin e Tribunalit të Përhershëm dhe udhëheqë punët financiare të Tribunalit të Përhershëm në pajtim me Rregullat e Kosovës për arbitrazhin.

Neni 11

  1. Kryetari, anëtarët e Kryesisë dhe Sekretari i Tribunalit të Përhershëm:
    1. Monitoron aplikimin e rregullave të përgjithshme të Tribunalit të Përhershëm dhe vendimet tjera të Tribunalit të Përhershëm dhe të tribunaleve të arbitrazhit dhe në bazë të miratimit apo marrëveshjes së Kryesisë së Tribunalit të Përhershëm, përgatitë dhe propozon ndryshimet dhe plotësimet e këtyre rregullave për t’iu përshtatur zhvillimeve të reja në legjislacionin apo praktikën e arbitrazhit.
    2. Organizon, në bazë të miratimit apo marrëveshjes së Kryesisë së Tribunalit të Përhershëm, seminare, konferenca, diskutime profesionale dhe aktivitete të ngjashme për të njoftuar opinionin e gjerë publik dhe në veçanti profesionistët në lidhje me bazën ligjore të punës dhe praktikës së Tribunalit të Përhershëm;
    3. Merr pjesë në forumet akademike dhe profesionale që janë me interes për punën e Tribunalit të Përhershëm;
    4. Përgatitë dhe boton informata dhe artikuj në botime akademike dhe profesionale mbi praktikën e Tribunalit të Përhershëm dhe në lidhje me zgjidhjen e kontesteve përmes arbitrazhit.
    5. Kryen detyra tjera për të avancuar punën e Tribunalit të Përhershëm të cilat përcaktohen nga Kryesia e Tribunalit të Përhershëm.
  2. Kryesia apo Kryetari i Tribunalit të Përhershëm mund t’ua besojë kryerjen e detyrave individuale nga paragrafi 1 i këtij neni personave të cilët nuk janë anëtarë të organeve të Tribunalit të Përhershëm.
  3. Kryetari i Tribunalit të Përhershëm mund të autorizojë Nënkryetarin apo anëtarët tjerë të Kryesisë që të kryejnë detyrat që janë nën kompetencë të tij/saj.

Neni 12

  1. Arbitrat dhe personat tjerë të përfshirë në procedurat para Tribunalit të Përhershëm kanë të drejtën që t’u mbulohen shpenzimet dhe t’u paguhet tarifa për kryerjen e funksioneve të tyre, në pajtim me vendimin për mbulimin e shpenzimeve dhe pagesën e tarifave për anëtarët e organeve të Tribunalit të Përhershëm, që miratohet nga Kuvendi i Odës Ekonomike të Kosovës, Kryetari dhe Sekretari i Tribunalit të Përhershëm sipas nenit 7, paragrafit 2 të këtij akti themelues.
  2. Dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni vlejnë për anëtarët e Kryesisë dhe për zëvendësuesin e Sekretarit të Tribunalit të Përhershëm.
  3. Urdhrat për pagesën e shpenzimeve dhe të tarifave për personat nga paragrafi 1 i këtij neni nxirren nga Nënkryetari i Tribunalit të Përhershëm apo një anëtar i Kryesisë së Tribunalit të Përhershëm të cilit nuk i paguhen këto fonde.
  4. Urdhrat tjerë për pagesë nga fondet e Tribunalit të Përhershëm nxirren nga Kryetari apo Sekretari i Tribunalit të Përhershëm.

Neni 13

  1. Oda Ekonomike e Kosovës mbikëqyrë punën administrative dhe financiare të Tribunalit të Përhershëm dhe siguron fondet e nevojshme për aktivitetet e tij.

Neni 14

  1. Organet e Tribunalit të Përhershëm janë funksionale gjer në përfundim të mandatit të tyre.
  2. Dispozitat për kufizimet e të drejtës për rizgjedhje të njëpasnjëshme në organet e caktuara të Tribunalit të Përhershëm vlejnë për zgjedhjet dhe emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij akti themelues.

Neni 15

  1. Akti themelues hyn në fuqi më 24 qershor 2011.